Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se më 30 qershor zhvilluan një operacion të përbashkët me agjenci ndërkombëtare, në kuadër të një hetimi për pastrim transnacional parash të përfituara nga trafikimi i drogës, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion euro.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe franceze, nën koordinimin e Europol dhe Eurojust.
Hetimet, të bazuara në analizën e materialeve të sekuestruara nga autoritetet italiane, çuan në identifikimin e llogarive bankare, interesave në biznese, pasurive të paluajtshme dhe automjeteve luksoze në pronësi të një çifti kosovarësh që jetojnë në Itali.
Prokuroria bëri të ditur se çifti është nën hetim në Itali për pastrim parash dhe ishte arrestuar në Francë në shtator të vitit 2025. Gjatë operacionit të atëhershëm, policia kishte zbuluar mbi 56 kilogramë shufra ari dhe 2.5 milionë euro të fshehura në ndarje të modifikuara të dy automjeteve.
Autoritetet rikujtuan gjithashtu se në shtator të vitit të kaluar u sekuestruan asete të tjera me vlerë mbi 30 milionë euro, të lidhura me një rrjet kriminal transnacional të përfshirë në pastrimin e të ardhurave nga trafiku i drogës në Francë.
Sipas hetimeve, paratë e gatshme konvertoheshin në ar për të fshehur origjinën e tyre kriminale dhe për të lehtësuar transportin ndërkufitar, kryesisht drejt Kosovës, Turqisë dhe Marokut.
Në shtator 2025, autoritetet italiane dhe franceze njoftuan shkatërrimin e një rrjeti të udhëhequr nga shtetas sirianë, i cili dyshohej se pastronte të ardhurat nga trafiku i drogës në Itali dhe Francë duke i kthyer në shufra ari.
Sipas prokurorëve italianë, gjatë më shumë se gjashtë muajve, rrjeti kishte grumbulluar mbi 17 milionë euro nga fitimet e trafikut të drogës, kryesisht në Francë. Paratë transportoheshin drejt zonës së Piemontes në Itali, ku, me ndihmën e tre bizneseve të përpunimit të metaleve të çmuara në Piemonte dhe Lombardi, shndërroheshin në shufra dhe fletë ari me të njëjtën vlerë monetare, për t’u transportuar më pas në disa vende të rajonit dhe më gjerë.m.k





