Në ditën e 34-t të protestës qytetare në Tiranë, një prej pjesëmarrësve tërhoqi vëmendjen duke paraqitur një varëse të improvizuar me bombat bosh të gazit lotsjellës, të cilat, sipas tij, ishin përdorur nga policia gjatë përplasjeve të një dite më parë.
Duke folur para protestuesve, ai e cilësoi veprimin si një akt simbolik dhe akuzoi qeverinë për përdorimin e gazit lotsjellës ndaj qytetarëve.
“Ja ku është prova e krimit. Rama ka lekë të blejë nga Serbia bomba kundër popullit, por jo t’u japë pensionistëve. Po pastrojmë edhe mbeturinat. Këto përdoren për kafshë, ndërsa ai i përdori kundër popullit të tij. Ia bëra varëse në mënyrë simbolike, sepse një ditë do ta bëjmë ‘nuse’ dhe do t’ia varim në qafë këtë gjerdan”, u shpreh protestuesi gjatë fjalës së tij.
Deklarata u bë gjatë tubimit të protestës, ku qytetarët vijuan të shprehin kundërshtimin ndaj qeverisë dhe veprimeve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit.m.k





