Situata para godinës së Kuvendit është tensionuar, ndërsa protesta qytetare është përfshirë në përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Protestuesit kanë tërhequr me forcë gardhin metalik të vendosur në hyrje të Pedonales, në afërsi të Parlamentit, duke arritur të rrethojnë godinën dhe të bllokojnë hyrjen kryesore.
Për të shpërndarë turmën, policia ka përdorur spraj djegës, ndërsa tensionet kanë vijuar për disa minuta. Në momentin kur në Kuvend kishte nisur seanca plenare, protestuesit u ulën përpara godinës dhe u bënë thirrje deputetëve të linin mandatet dhe t’u bashkoheshin protestës.
“Dorëzoni mandatet! Dorëzoni mandatet! Bashkohuni me ne!”, ishte thirrja e protestuesve drejtuar ligjvënësve.
Përplasjet erdhën pasi protestues hodhën vezë dhe miell në drejtim të deputetëve të Partisë Socialiste. Gjatë ndërhyrjes së policisë pati konfrontime fizike, ndërsa disa protestues mbetën të lënduar dhe u transportuan me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas incidenteve të regjistruara pranë Parlamentit, policia shoqëroi disa persona, ndërsa situata në zonë mbeti e tensionuar.a.b





