Bashkia e Durrësit ka nisur zbatimin e skemës së parkimit me pagesë në rrugët e qytetit, ndërsa në terren po vijon vijëzimi i vendeve të parkimit dhe vendosja e sinjalistikës përkatëse.
Vendimi ka ngjallur reagime të ndryshme nga banorët, turistët dhe drejtuesit e mjeteve. Disa qytetarë shprehen se tarifat janë të larta në raport me të ardhurat, ndërsa pensionistët paralajmërojnë se mungesa e vendeve të lira të parkimit mund të sjellë konflikte mes banorëve.
Edhe taksistët kanë kërkuar që bashkia të parashikojë hapësira të dedikuara për ta, duke argumentuar se ushtrojnë aktivitet të licencuar dhe paguajnë detyrimet përkatëse.
Sipas vendimit të Bashkisë së Durrësit, parkimi me pagesë do të aplikohet nga e hëna në të premte. Gjatë sezonit turistik, nga 1 qershori deri më 30 shtator, tarifimi do të jetë në fuqi nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa gjatë pjesës tjetër të vitit deri në orën 18:00.
Përveç rrugëve, me pagesë do të jenë edhe gjashtë sheshe parkimi, përfshirë hapësirat pranë Porto Finos, poshtë Urës së Dajlanit, pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
Tarifat në këto sheshe do të variojnë nga 100 lekë për dy orët e para deri në 500 lekë për parkim 24-orësh. Ndërkohë, qyteti është ndarë në dy zona tarifimi. Në Zonën A, ku përfshihen qendra dhe rrugët me aktivitet të lartë tregtar, tarifa do të jetë 100 lekë në orë. Në Zonën B, që përfshin akse më periferike, tarifa është përcaktuar në 40 lekë për orë.





