Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, 35 vite burg për Julian Meçen
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, të ndodhur në vitin 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.
Trupa gjykuese ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, ndërsa Julian Meçe është dënuar me 35 vite burg, duke i shpallur fajtorë për rolin e tyre në organizimin e atentatit.
Edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar të njëjtat masa ndëshkuese për dy të pandehurit, duke i akuzuar si organizatorë dhe financues të sulmit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Hetimet për zbardhjen e ngjarjes morën një kthesë të rëndësishme pas analizimit të komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar SKY ECC, e përdorur nga grupe të krimit të organizuar, nga ku u dokumentuan elementë që, sipas SPAK-ut, zbardhën organizimin e atentatit.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit, në autostradën Tiranë-Durrës. Në momentin e sulmit, Arjan Ndoja udhëtonte në të njëjtin automjet me Aleksandër Lahon dhe shoferin e tij, ish-efektivin e policisë Andi Maloku. Si pasojë e breshërisë së plumbave, Maloku humbi jetën, ndërsa Ndoja dhe Laho mbetën të plagosur.





