Një tjetër rast i dyshuar helmimi ushqimor është regjistruar në Akademinë e Sigurisë, ku rreth 50 kursantë kanë shfaqur probleme shëndetësore vetëm pak javë pas një incidenti të ngjashëm që ngriti shqetësime për kushtet e sigurisë ushqimore në institucion.
Sipas burimeve, mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00, dhjetëra kursantë kanë nisur të shfaqin simptoma si të vjella, diarre, temperaturë, dhimbje koke dhe këputje trupore. Një pjesë e tyre kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa disa janë trajtuar me serum.
Dyshohet se simptomat janë shfaqur pas konsumimit të vaktit të darkës, ku në menu kanë qenë fasule, salçiçe dhe kos. Sipas informacioneve paraprake, kursantët kanë konsumuar ushqimin rreth orës 20:00, ndërsa brenda një ore kanë nisur të ndjejnë shenjat e para të helmimit.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për mënyrën e furnizimit dhe kontrollit të ushqimit në Akademinë e Sigurisë, pasi bëhet fjalë për rastin e dytë të dyshuar brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Më 7 maj, 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën me simptoma të ngjashme, çka çoi në nisjen e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.
Sipas raportimeve, mensa e Akademisë, e cila ishte mbyllur përkohësisht pas incidentit të parë, është rikthyer në funksion, ndërsa kompania e kateringut që ishte pezulluar më herët dyshohet se ka rifilluar furnizimin me ushqime.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Akademia e Sigurisë apo institucionet përgjegjëse për të sqaruar rrethanat e ngjarjes së fundit. Ndërkohë, pritet që autoritetet shëndetësore dhe hetimore të kryejnë analizat përkatëse për të përcaktuar shkakun e simptomave të shfaqura tek kursantët.
Përsëritja e një incidenti të tillë brenda rreth një muaji e gjysmë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e sigurisë ushqimore dhe masat e marra pas rastit të parë.





