Protesta qytetare për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 24-t, ndërsa në tubimin e zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Tiranë iu bashkua edhe ish-zëvendësambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.
Wilton ka qenë i pranishëm edhe në protesta të tjera kundër qeverisë, si dhe në lëvizjen qytetare kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Gjatë protestës, organizatorët ritheksuan se dorëheqja e kryeministrit Rama mbetet kushti i panegociueshëm i lëvizjes qytetare. Me megafon në dorë, një prej protestuesve deklaroi se kërkesat e protestës do të lexohen çdo ditë për t’iu kujtuar qytetarëve dhe institucioneve arsyet e mobilizimit të vazhdueshëm.
“Ne jemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në largimin e kryeministrit”, u shpreh ai, duke nënvizuar se lëvizja kërkon jo vetëm ndryshime politike, por edhe një “kontratë të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit.
Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese të miratuara me referendum, reforma në financimin e partive politike dhe kufizimi i mandateve të kryeministrit në maksimum dy mandate.
Po ashtu, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, paketën e maleve dhe statusin e investitorëve strategjikë.
Ndërkohë, protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Në Korçë, qytetarët u mblodhën në sheshin qendror në mbështetje të protestës së Tiranës, ndërsa disa prej tyre kërkuan shpalljen e Bozdovecit “Park Kombëtar”. Edhe në Gjirokastër u zhvillua një tubim ku qytetarët kërkuan largimin e qeverisë, duke denoncuar korrupsionin dhe keqqeverisjen.
Pas më shumë se tre javësh demonstrata të pandërprera, organizatorët thonë se revolta qytetare ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve nga Shqipëria.





