Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar publikisht ndaj asaj që e cilëson si një fushatë sulmesh të koordinuara kundër saj nga zyra e kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali foli për atë që e përshkroi si “monitorim digjital e operacional” dhe “kontroll algoritmik”, duke sugjeruar se pas sulmeve qëndron një mekanizëm i organizuar politik.
Ajo u bëri thirrje ndjekësve të saj të mos ndikohen nga, sipas saj, “sulmet banale”, “konspiracionet halucinante” dhe “gjuha e shthurur” që po përdoret në debatin publik.
Në reagimin e saj, Spiropali zgjodhi t’i përgjigjej situatës jo me kundërsulme politike, por duke rekomanduar leximin e një poezie të poetes së njohur ruse Anna Ahmatova, si një mënyrë reflektimi përballë klimës së tensionuar.





