Strategjisti izraelit David Zaikin ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në intervistën e dhënë për “Financial Times”, ku kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Zaikin u shpreh se, ndonëse pajtohet me Ramën se investimet janë të rëndësishme dhe se mafia nuk drejtohet prej tij, gjatë viteve të qeverisjes së socialistëve Shqipëria është përballur me një fluks të madh parash që burojnë nga trafiku i drogës.
Sipas strategjistit izraelit, ndikimi i këtyre parave ka favorizuar përqendrimin e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë në duart e një numri të vogël oligarkësh.
“Pajtohem me Edi Ramën: investimet janë të mira dhe mafia ka një drejtues tjetër. Por gjatë qeverisjes së tij, paratë e drogës kanë vërshuar në vend dhe një grusht oligarkësh kanë vënë nën kontroll turizmin, tregtinë me pakicë dhe sektorin e energjisë”, shkruan Zaikin.
Ai argumenton se Shqipëria po kalon një krizë të thellë politike dhe institucionale, duke shtuar se vendi ka nevojë për ndryshim në drejtim dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve te proceset demokratike.
Në reagimin e tij, Zaikin mbështet idenë e krijimit të një qeverie tranzitore si një rrugë për të kapërcyer situatën aktuale politike.
“Shqipëria ka nevojë për një udhëheqje të re dhe për një qeveri tranzitore”, thekson strategjisti izraelit.





