Ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë prej javësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga protestuesit në një intervistë për gazetën britanike “Financial Times”.
I pyetur për pretendimet që e lidhin me korrupsionin dhe interesa klienteliste, Rama i hodhi poshtë akuzat, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj kritikëve të tij.
“Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘Shkoni q…’. Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari, por atyre ta provojnë se jam”, deklaroi kryeministri.
Deklarata e tij vjen në një moment kur protestues, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të opozitës po kërkojnë dorëheqjen e Ramës, duke e akuzuar për përgjegjësi politike në një sërë çështjesh që kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të lidhur me pushtetin.
Në intervistën për “Financial Times”, Rama komentoi edhe çështjen e pastrimit të parave në Shqipëri. Ai kundërshtoi pretendimet se ekonomia shqiptare mbështetet në këtë fenomen, megjithëse pranoi ekzistencën e tij.
“Të pretendosh se ekonomia shqiptare bazohet në pastrimin e parave është e tmerrshme”, tha Rama, duke shtuar se “pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh”.
Komentet e kryeministrit vijnë në një periudhë kur Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave, duke vendosur masa sigurie ndaj 20 personave të dyshuar, mes tyre edhe emra të njohur të biznesit.
Rama u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit, duke mbrojtur rezultatet e qeverisë së tij.
“Shqipëria po lufton korrupsionin si kurrë më parë dhe sot është shumë më pak e korruptuar se më parë”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, kryeministri sugjeroi gjithashtu se pas protestave qëndrojnë interesa politike, ndërsa këmbënguli se akuzat ndaj tij nuk mbështeten në prova.a.b





