Kreu i PD, Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve që çdo natë zë përfshihen në protestën qytetare kundër autokracisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve që të bashkohen në protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se beteja aktuale është për lirinë, votën e lirë dhe kundër autokracisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se asnjë demokrat nuk duhet të ndikohet nga sloganet apo sulmet që, sipas tij, vijnë nga “opozita e opozitës”, ndërsa vlerësoi rolin e Partisë Demokratike në përballjen me qeverinë ndër vite.
“Çdo natë vendi i demokratëve është në sheshin dhe rrugët e Tiranës në betejën për liri, për votën e lirë dhe kundër autokracisë. Asnjë slogan, asnjë parullë dhe asnjë mashtrim kundër opozitës së vërtetë nuk duhet t’i largojë ata nga kjo kauzë”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se opozita ka qëndruar e pamposhtur përballë presioneve, duke kujtuar protestat e zhvilluara ndër vite, denoncimet e bëra ndaj qeverisë dhe përpjekjet për të mbrojtur votën e lirë.
Berisha nënvizoi se protesta aktuale është një protestë qytetare dhe jo partiake, ndaj demokratët duhet të marrin pjesë në të si qytetarë, pa flamuj dhe simbole partiake.
“Vendi i nderit i çdo demokrati është në këtë fushëbetejë qytetare. Ne e respektojmë plotësisht karakterin qytetar të protestës dhe japim kontributin tonë vetëm si qytetarë”, tha ai.
Në përfundim, kreu i demokratëve shprehu bindjen se protesta do të triumfojë dhe se, sipas tij, kryeministri Edi Rama do të përballet me pasojat politike të veprimeve të qeverisë së tij.




