Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të premte bregdetin e Lezhës, ku dy vajza të mitura kanë humbur jetën pasi dyshohet se u mbytën në det gjatë pushimeve në plazhin e Tales.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 12:50, dy të miturat, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, po laheshin në det kur dyshohet se janë mbytur. Viktimat janë identifikuar si dy motra nga Fushë-Kruja.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë. Në bashkëpunim me pushuesit që ndodheshin në zonë, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje të thellë te familjarët dhe pushuesit e pranishëm në plazhin e Tales.





