Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të krijuar rreth rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë, duke kundërshtuar pretendimet se ajo përbën një fitore të protestuesve të lëvizjes së njohur si “Flamingot”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi ata që, sipas tij, po e paraqesin rezolutën si sukses të protestës, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën kanë qenë prioritet i qeverisë dhe i Partisë Socialiste.
Kreu i qeverisë sqaroi se amendamenti që protestuesit e konsiderojnë si “fitore” nuk është miratuar, ndërsa amendamenti i votuar nga eurodeputetët, sipas tij, lidhet me zonën e mbrojtur Nartë-Vjosë dhe jo me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë në Zvërnec.
Rama shtoi se çështja e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është pjesë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe do t’i nënshtrohet një analize të përbashkët me Komisionin Europian për të identifikuar çdo mospërputhje me standardet e BE-së.
Në fund të reagimit, kryeministri kritikoi ashpër mbështetësit e protestës dhe figurat publike që, sipas tij, kanë nxitur pritshmëri të rreme për një “fitore” politike.
Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!
Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm🦩❤️
Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale🤷🏻♂️
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së🇦🇱🤝🇪🇺
Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar





