Një grabitje me dhunë është regjistruar pasditen e së mërkurës në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, ku një person dyshohet se ka kanosur me mjet prerës drejtuesin e një taksie dhe i ka marrë një shumë parash, si dhe një varëse.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet policore kanë organizuar kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i reagimit të shpejtë, ai është lokalizuar dhe neutralizuar nga efektivët, ndërsa aktualisht po shoqërohet në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale. Autoritetet kanë bërë të ditur se pas përfundimit të hetimeve paraprake do të japin informacion më të detajuar për rastin.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje është regjistruar në territorin e fshatit Cerrujë, në lagjen Domush, ku është gjetur në gjendje dekompozimi trupi i një personi të seksit mashkull.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin e viktimës dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Hetimet për të dy rastet vijojnë.




