Protesta qytetare para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 16-të, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Bulevardi përpara godinës së qeverisë është mbushur sërish me protestues, të cilët kanë marshuar dhe kanë brohoritur kundër qeverisë. Nga turma janë dëgjuar thirrje të ndryshme, mes tyre edhe kërkesa për largimin e kryeministrit.
Gjatë protestës, një i ri mori fjalën dhe paralajmëroi përshkallëzim të lëvizjes qytetare në ditët në vijim. Ai akuzoi qeverinë për keqqeverisje dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit të mos pengojë protestuesit.
“Jam i bindur se protesta do të përshkallëzohet, siç e meriton ky sistem mafioz. I bëj thirrje Policisë së Shtetit që të mos na tregojë ne se çfarë është e ligjshme. Mos na ndaloni në misionin tonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, deklaroi ai.
Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditët e ardhshme, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.





