Biznesmeni Ilir Shtufi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe përfshirje në organizatë kriminale, është arrestuar në Greqi pasi kishte hyrë në territorin e këtij shteti.
Sipas mediave greke, 53-vjeçari ka kundërshtuar ekstradimin drejt Shqipërisë. Vendimi përfundimtar mbi kërkesën e autoriteteve shqiptare pritet të merret nga organet kompetente gjyqësore greke.
Shtufi kërkohet nga drejtësia shqiptare për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, të lidhura me të ardhura të dyshuara nga trafiku i lëndëve narkotike, si dhe për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas dosjes hetimore, veprat për të cilat ai dyshohet datojnë në vitin 2020 në Tiranë. Ndërkohë, gjykata greke ka vendosur mbajtjen e tij në paraburgim deri në shqyrtimin e plotë të procedurës së ekstradimit.



