Autoritetet belge kanë vënë në pranga Gerd Gjinararin, i njohur edhe si Gert Gjenerali, i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane për një vrasje të kryer në Milano në vitin 1997.
Gjinarari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi nuk u paraqit për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pas anulimit të një vendimi që i kishte mundësuar më herët lirimin me kusht në Shqipëri.
Sipas dosjes hetimore dhe vendimeve të gjykatave italiane, ngjarja ka ndodhur në një spital të Milanos, ku viktima, Naim Zyberi, po merrte trajtim mjekësor. Hetimet kanë konkluduar se Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u prezantuar si familjarë të pacientit dhe më pas e ekzekutuan me armë zjarri. Arma dyshohet se ishte fshehur brenda një buqete me lule.
Për këtë krim, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Pesë vite më vonë, Gjykata e Korçës vendosi lirimin e tij me kusht, një vendim që ngjalli debat publik. Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi rikthimin e tij në burg, por ai nuk u vetëdorëzua, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i tij në Belgjikë pritet të pasohet nga procedurat ligjore për ekstradimin dhe ekzekutimin e pjesës së mbetur të dënimit.




