Pas disa vitesh në arrati, Moisi Habilaj është vënë në pranga mbrëmjen e së shtunës gjatë një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit në zonën e Borshit.
Sipas burimeve policore, Habilaj u lokalizua në një beach bar në pronësi të familjarëve të tij, ku dyshohet se qëndronte prej një periudhe të gjatë. Operacioni u realizua nga forcat e Operacionales së Tiranës, të cilat, pas informacioneve të siguruara dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, arritën të identifikonin vendndodhjen e tij dhe të organizonin ndërhyrjen për arrestimin.
Burimet bëjnë me dije se në momentin e kapjes, Habilaj kishte ndryshuar pamjen e jashtme, duke mbajtur kapele dhe mjekër, në një përpjekje për të shmangur identifikimin nga autoritetet.
Policia pritet të japë detaje zyrtare lidhur me operacionin dhe procedurat që do të ndiqen pas arrestimit.
Moisi Habilaj ishte në kërkim prej vitesh nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u largua pasi Gjykata e Apelit në Katania la në fuqi dënimin e tij me 15 vite burg. Në momentin kur autoritetet italiane shkuan në banesën ku ai po vuante masën e arrestit shtëpiak, Habilaj nuk u gjet.
Ndërkohë, në janar të këtij viti, edhe Gjykata e Posaçme në Shqipëri e shpalli fajtor për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke e dënuar me 15 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 10 vite heqje lirie.



