Rektori i Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, duke i dhënë fund mandatit të tij në krye të institucionit.
Vendimi është marrë më 11 qershor dhe i është përcjellë ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro. Në letrën e dorëheqjes, Gjuraj argumenton se shkak janë bërë përplasjet e vazhdueshme me Bordin e Administrimit, veçanërisht për çështjen e emërimit të administratorit të universitetit dhe vendimmarrje të tjera që, sipas tij, cenojnë autonominë universitare.
Në letrën drejtuar ministres, ai thekson se mandati i rektorit buron nga komuniteti akademik dhe se drejtimi i universitetit duhet të mbështetet në transparencë, përgjegjësi publike dhe respektim të ligjit.
“Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës”, shkruan Gjuraj.
Rektori në largim kundërshton vendimin e Bordit të Administrimit për emërimin e administratorit, të cilin e cilëson të papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Ai kritikon gjithashtu vendimin për shtyrjen e moshës së daljes në pension dhe mënyrën e ndjekur për rekrutimin e stafit administrativ.
Sipas Gjurajt, Bordi ka injoruar edhe raportin e grupit të punës të ngritur nga Ministria e Arsimit për verifikimin e procedurave të konkursit të personelit administrativ, raport i cili, sipas tij, konstatonte shkelje ligjore dhe e konsideronte të pavlefshme shpalljen për punësim.
Në një tjetër akuzë, ai pretendon se Bordi i Administrimit ka vijuar të kryejë pagesa honorarësh për projekte në mënyrë preferenciale dhe pa procedurat e nevojshme institucionale.
“Nëse ushtrimi i këtij funksioni shoqërohet me ndërhyrje që cenojnë autonominë institucionale, atëherë nuk po hezitoj të lë në tavolinë dorëheqjen time dhe t’i rikthehem jetës akademike si profesor”, shprehet ai në letër.
Në përfundim, Gjuraj kërkon që të ndiqen procedurat ligjore për garantimin e funksionimit normal të universitetit pas largimit të tij dhe falënderon komunitetin akademik, studentët dhe qytetarët e Shkodrës për mbështetjen gjatë mandatit të tij.





