Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës
Tubimi i mbrëmjes përpara godinës së Kryeministrisë ka përfunduar, por protesta qytetare ka vijuar me një marshim nëpër akset kryesore të kryeqytetit.
Pas fjalimeve të mbajtura nga organizatorë dhe aktivistë, mijëra qytetarë janë nisur në këmbë përgjatë rrugëve kryesore të Tiranës, duke vazhduar kështu formën e protestës që është ndjekur edhe në ditët e mëparshme.
Marshimi ka sjellë bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa prej akseve më të rëndësishme të kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrësit kanë vijuar të shprehin qëndrimet dhe kërkesat e tyre kundër qeverisë.
Me dritat e telefonave të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, protestuesit kanë marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke e shndërruar qendrën e Tiranës në skenën e një tjetër mbrëmjeje proteste.





