Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Rrjeti”, duke goditur një grup kriminal të dyshuar për shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak në kryeqytet.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4, pas një hetimi të kryer me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Si rezultat, janë arrestuar katër persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në pranga ranë shtetasit me iniciale M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç. Ndërkohë, policia po vijon kërkimet për kapjen e shtetasve K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.
Sipas hetimeve, gjashtë personat e identifikuar në kuadër të operacionit, së bashku me pesë shtetas të arrestuar më herët, dyshohet se vepronin si grup i organizuar për sigurimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 armë automatike, si dhe sasi municioni luftarak dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia bën me dije se gjatë gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve të ndërmarra kundër këtij grupi kriminal janë arrestuar në total 9 persona. Po ashtu janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi të konsiderueshme municioni, 4 automjete dhe 13 telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së grupit, ndërsa puna vazhdon edhe për kapjen e dy të shpallurve në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.a.b





