Nga Sonila Meço
Pas një ligjërate të gjatë, por jo shteruese mbi çështjen “Zvërneci” nga grupi parlamentar, kryeministri u zhvendos në platformën X-i, vendi që i shërben si gjykatë pa procedurë. Rama aty nuk pret as hetim, as raport, as dokument a ballafaqim. E vendos vetë kornizën përpara se t’ja vendosin të tjerët, duke e përvetësuar si nxënës i zellshëm mësimin e propagandës se kush emërton krizën merr peng edhe kuptimin e saj.
Rama mbrojti jo vetëm një projekt, por nëpërmjet një investimi të rëndësishëm rrasi gjithë doktrinën e tij, doninimin mbi territorin si mall politik, zapruesit si autoritet publik dhe qytetarin si të “keqinformuar”.
Dhe zgjedh Tsiprasin, t’i gjegjet në log publik, jo privat, që po rifutet në politikën greke me një parti të majtë, që është shprehur mbi investimin në Zvërnec duke e mbushur me të pavërteta e nacionalizëm, tipik për fqinjët xhelozë e armiqësorë.
Patjetër e presim nga politikanë grekë, sidomos në fushatë të gjejnë alibira e qoshe emocionale për rë karikuar elektoratin e tyre. Siç e kemi parë kryemibistrin të puthet e qafohet me zyrtarë, investitorë e ambasadorë në Greqi. Dhe ok deri këtu. Por ne problemin e kemi jo vetëm me Zvërnecin, por gjithë kontrollin e territorit dhe keqpërdorimin e tij nga interesa klienteliste e kriminale me bekimin e atij që sillet si në pronat e veta. Por kryeministrit nuk i duhet kjo, sepse në momentin që pranon se ka konflikt real social, bie narrativa e “Shqipërisë së transformuar”.
Nuk di si e nga hyjnë në këtë hartë “memece” të shpjegimeve zyrtare të kryeministrit për çështjen e Zvërnecit në postimin në X, termat mbi tensionet etnike, nacionalizmin, keqinterpretimet, ndjeshmërinë e pezmeve rajonale. Ama të gjitha bashkë janë guacka që do të mbulojë problemin real e të vërtetuar të shqiptarëve: modeli i qeverisjes së një autokracie sulltanat betoni e trafiqesh.
E kush nga shqiptarët e ikur do qe kundra investimeve të mëdha e serioze, që prodhojnë vlerë të shtuar në ekonomi, punësim e mirëqenie?! Por sepse kanë parë si ua ka shkatërruar industri, bujqësi, bregdet e natyrë ky farë modeli shpopullues kanë lënë gjithçka në shpirt e investim personal, për t’i shpëtuar “asgjësë” së të ardhmes.
Vriten e priten njerëz për prona grabitur me ligje investimesh strategjike e speciale për çdo pëllëmbë vije bregdetare dhe ende kryeministri gjen kohë t’i shkruaje Tsipras-it në Greqi se po na merr në qafë me shpifje? Po për kanionin e Langaricës, për Kalanë e Tepelenës, hyrjen e Ksamilit, betonin e Manastirit, gjynahet mbi Butrint, kullat nëpër Himarë, Qerret, Vlorë në tryezën e KKTU-së, aeroportin fantazmë betoni të Kukësit, zhbërjen e portit historik të Durrësit, zhytjen e pallateve të Durrës-Marinës, përmbyjtjet e Durrësit e Vlorës, shfytyrimin e kurthin vrastar të Tiranës, prerjen e qiparisave, pishave mesdhetare, ullinvje të vjetër, dëllinjave, shqopave, dafinave, mareve për të katandisur Jalin, Dhërmiun e Palasën pa infrastrukturë natyrore kur do flasë? Një pishë e prerë në rivierë nuk zëvendësohet me tre fidanë ceremonialë pranë një rrethrrotullimi.
Prandaj Rama i shkruan Tsiprasit publikisht në X. Jo për ta bindur, jo!Por për ta ngritur konfliktin nga niveli “banorë kundër modelit të tij të zhvillimit” në nivelin “lideri që menaxhon tensione rajonale”.
Kaq i duhet, sa ta rrasë në laboratorin e zakonshëm ballkanik të Europës, me stabilitetra, nacionalizma, minoritete, fuqi armike.
Aty kryeministri e përdor penelatën më virtuoz se në terrenin ku debati është për territorin, klientelizmin dhe raportin mes pushtetit e qytetarit.
Mundet të ketë çdo lloj infiltrimi në protesta, vetë Rilindja e ka talent përdorimin dhe shkatërrimin e tyre, por po aq mirë e dinë se një protestë kundër zallamahisë mbi pasuritë publike, grabitjen e pronave mund të prodhojë solidaritet qytetar. Kësaj i druhet si djalli temjani pushteti. Dhe këtu hyn loja me sfondin minoritar.
Nëse Zvërneci e protesta të ngjashme do të lexoheshin vetëm si konflikt mes qytetarëve dhe zaptuesve, dhunë ndaj protestuesve,
kapje territori, shtet në funksion të krimit, atëherë narrativa bëhet shumë e rrezikshme për Ramën. Sepse lidhet drejtpërdrejt me akuzën kryesore jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, atë ndaj modelit të tij të privatizimit të shtetit për interesa klienteliste dhe kriminale, si kryeministër i një narko-shteti.
Ndaj edhe në postimin në X për Tsipras, fjalë e togfjalësha mbizotërues ishin minoritet, tension bilateral, nacionalizëm grek, reagim emocional nga Athina. Hopa kriza “ballkanizohet” nga niveli “banorë kundër modelit të zaptimit” në nivelin “lider europian që menaxhon tensione rajonale”.
Rama po mundohet ta kthejë konfliktin nga çështje e grabitjes së territorit në çështje të reputacionit të shtetit. E di mirë se sapo debati bëhet për territorin, ai humb. Ndaj me aftësinë e vet dhe propagandës vesh kostumin që i rri aq ngushtë, atë të modernizuesit që po pengohet nga njerëzit që nuk kuptojnë progresin.




