Policia Kufitare në Vlorë ka ndërhyrë pas denoncimeve të pushuesve për një mjet lundrues tip Jet Ski që lëvizte pranë bregut, duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në plazh.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët kanë raportuar rastin pranë Policisë së Shtetit dhe kanë dërguar pamje filmike ku shfaqej Jet Ski-ja duke lundruar në afërsi të bregdetit në zonën e Karaburunit.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, organizuan ndërhyrjen për lokalizimin e mjetit. Jet Ski-ja u konstatua dhe u ndalua teksa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.
Mjeti lundrues u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese pranë SMIL-it, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi E. U., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500 mijë lekë të rinj për shkeljen e rregullave të lundrimit dhe cenimin e sigurisë së pushuesve.






