PPE mbështet demokratët, synimi rikthimi në pushtet dhe integrimi i Shqipërisë në BE
Sekretarja e Përgjithshme e Partia Popullore Evropiane, Dolors Montserrat, ka përcjellë një mesazh mbështetës për Partinë Demokratike në kuadër të Kuvendit Kombëtar, duke theksuar se familja politike europiane qëndron në krah të demokratëve shqiptarë dhe synon rikthimin e tyre në qeverisje.
Në videomesazhin e saj, Montserrat e cilësoi Kuvendin si një moment të rëndësishëm për PD-në, duke vlerësuar procesin e modernizimit dhe reformimit të partisë si një hap të domosdoshëm për forcimin e saj politik.
“Ju po modernizoni të gjithë partinë për t’u bërë më të fortë dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, sepse ne duam t’ju shohim në pushtet, në qeverinë e Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Sipas Montserrat, Shqipëria ka nevojë për forcimin e demokracisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet. Ajo nënvizoi se objektivi strategjik mbetet integrimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian.
Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së theksoi se mbështetja e familjes më të madhe politike të qendrës së djathtë në Evropë për Partinë Demokratike do të vijojë edhe në të ardhmen.
“Unë dhe Manfred Weber, në emër të gjithë familjes së PPE-së, ju mbështesim të gjithëve. Ju keni gjithë familjen e PPE-së për t’ju ndihmuar, për t’ju mbështetur dhe për të qenë pranë jush”, u shpreh ajo.
Në fund të mesazhit, Montserrat përgëzoi kryetarin e PD-së, Sali Berisha, dhe drejtuesit e partisë për nisjen e asaj që e quajti një fazë të re politike, duke theksuar se vlerat e lirisë, shtetit të së drejtës dhe prosperitetit duhet të rikthehen në qeverisjen e vendit.





