Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është përshëndetur me mesazhe mbështetëse nga figura të rëndësishme të spektrit konservator ndërkombëtar. Presidenti i Unionit Ndërkombëtar Demokratik (IDU), Stephen Harper, dhe ish-kongresmeni republikan amerikan Bob McEwen vlerësuan rolin e PD-së në demokracinë shqiptare, duke shprehur mbështetjen e tyre për procesin e ripërtëritjes së partisë dhe për opozitën shqiptare.
Në mesazhin e tij drejtuar delegatëve të Kuvendit, Harper e cilësoi Asamblenë e Ripërtëritjes si një moment të rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për demokracinë në Shqipëri. Ai theksoi se vendimi për të ndërmarrë reforma dhe për të modernizuar strukturat e partisë pasqyron “guxim dhe mençuri”, ndërsa nënvizoi se partitë e forta demokratike duhet të dëgjojnë qytetarët, të rivlerësojnë veten dhe të përshtaten me sfidat e kohës.
“Partia Demokratike e Shqipërisë është një shtyllë e kahershme e familjes sonë politike dhe sot ne qëndrojmë fort në krahun tuaj. Ju nuk jeni vetëm në këtë përpjekje. Familja demokratike qëndron pranë jush”, u shpreh Presidenti i IDU-së.
Harper vlerësoi gjithashtu angazhimin e PD-së për modernizimin organizativ, zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë dhe forcimin e vlerave europiane, duke shtuar se një opozitë e fortë dhe e besueshme mbetet një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
Ndërkohë, ish-kongresmeni republikan amerikan Bob McEwen mbajti një fjalim me tone të forta politike, ku kujtoi momentet historike të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri dhe rolin që, sipas tij, ka luajtur Partia Demokratike në transformimin e vendit.
McEwen tregoi se kishte qenë në Tiranë në shkurt të vitit 1991, kur protestuesit rrëzuan monumentin e diktatorit komunist, duke e cilësuar atë ngjarje si simbol të triumfit të lirisë ndaj tiranisë.
Sipas tij, Partia Demokratike dhe Sali Berisha ishin forcat që orientuan Shqipërinë drejt NATO-s dhe integrimit euro-atlantik, ndërsa theksoi se vendi ka nevojë për një opozitë që mbron lirinë, ndershmërinë dhe shtetin e së drejtës.
“Ne qëndrojmë pranë jush në të gjithë këtë përpjekje dhe si një popull konservator e si popull që e duam lirinë, do t’ju mbështesim. Ashtu sikurse e tha edhe Sali Berisha, ne e rrëzuam tiraninë më përpara dhe do ta rrëzojmë përsëri”, deklaroi McEwen në fjalën e tij para demokratëve.





