Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për Sueld Elezin, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me vendim të datës 30 prill 2025.
Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Sipas hetimeve, Elezi dyshohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar 2 kilogramë kokainë në Itali. Ndërsa gjatë vitit 2021, ai akuzohet se ka marrë pjesë në trafikimin e 932 kilogramëve kokainë, po drejt Italisë.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë realizuar edhe dy ekstradime të tjera nga Shqipëria drejt vendeve të huaja.
Në Gjermani është ekstraduar 43-vjeçari Roy Garin, banues në Izrael, ndaj të cilit autoritetet gjermane kanë lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Mashtrimi me shuma të mëdha”, në 33 raste të dokumentuara.
Po ashtu, drejt Mbretërisë së Bashkuar është ekstraduar edhe Altin Shehu, 34 vjeç, i kërkuar nga drejtësia britanike. Gjykata e Kentit të Veriut i kishte caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale të “Vrasjes”.a.b



