Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare sizmologu i njohur shqiptar, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, një prej figurave më të rëndësishme të shkencave të Tokës në Shqipëri.
Profesor Aliaj la pas një kontribut të gjerë në fushën e sizmologjisë dhe gjeologjisë, si autor dhe bashkautor i dhjetëra monografive, teksteve universitare dhe botimeve shkencore. Gjatë karrierës së tij ai publikoi 105 artikuj shkencorë dhe prezantoi 84 punime në simpoziume, konferenca dhe aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Veprimtaria e tij shkencore është vlerësuar gjerësisht edhe në arenën ndërkombëtare. Portali i studimeve të tij në platformën ResearchGate renditet ndër më të ndjekurit në fushën e shkencave të Tokës, me vizitorë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës.
Prof. Dr. Shyqyri Aliaj u bë një zë i rëndësishëm publik edhe pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019. Në daljet e tij në media gjatë asaj periudhe, ai u përpoq të qetësonte qytetarët, duke argumentuar se në Shqipëri nuk priteshin tërmete të tjera shkatërruese për dekada me radhë.
Ndarja nga jeta e profesorit konsiderohet një humbje e madhe për komunitetin shkencor shqiptar dhe për studimet sizmologjike në vend.





