Një 34-vjeçar i identifikuar si Juxhin Hamajesi ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë pas një konflikti të regjistruar në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku dyshohet se 34-vjeçari është qëlluar gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Policia bëri me dije se rreth orës 23:55 të datës 26 maj 2026, Juxhin Hamajesi është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kishte marrë plagë në këmbë, të dyshuara nga armë zjarri. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të dyshuar.
Emri i Juxhin Hamajesit rezulton i njohur për autoritetet. Në vitin 2018 ai mbeti i plagosur pas një atentati me armë zjarri në lokalin “Enea”, në zonën e Kinostudios, ku dyshohet se u qëllua nga ish-efektivi Santiago Malko.
Po ashtu, Hamajesi rezulton të jetë arrestuar edhe në qershor të vitit 2021, nën dyshimet për përfshirje në trafik të emigrantëve sirianë.



