Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas procesit të votëbesimit në Parti, duke falënderuar demokratët për mbështetjen masive ndaj tij për të vijuar në drejtimin e PD-së.
Në një deklaratë për mediat, Berisha shprehu “mirënjohjen më të pakufishme” për të gjithë anëtarët që morën pjesë në votim dhe riafirmuan besimin ndaj tij.
“Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike,” u shpreh Berisha.
Ai pati gjithashtu një falënderim edhe për anëtarët që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se mendimi ndryshe do të merret në konsideratë.
“Vota e tyre ndryshe, apo kundër, abstenuese qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve,” deklaroi kreu demokrat.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet një forcë politike e bazuar mbi diversitetin dhe standardet demokratike.
“Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik,” tha ai.
Në fund të deklaratës, Berisha falënderoi komisionerët, drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e degëve dhe të gjithë strukturat e Partisë Demokratike që kontribuan në organizimin e procesit të votëbesimit në të gjithë vendin.a.b





