Bashkimi Europian vijon të mbetet i ndarë në lidhje me progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim. Sipas agjencisë DDT-Net në Bruksel, tre shtete anëtare ende nuk kanë dhënë miratimin për Raportin e Vlerësimit të Kritereve të Përkohshme (IBAR) për Grupkapitullin 1 “Themeloret”, duke penguar arritjen e një konsensusi për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë.
Debati është fokusuar te Raporti IBAR për Grupkapitullin “Themeloret”, i cili konsiderohet kyç në procesin e integrimit europian. Çështja u diskutua edhe në mbledhjen e sotme të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet që negociojnë anëtarësimin në BE (COELA), ku, sipas burimeve të një shteti anëtar, “tre vende ende nuk mundën të japin dritën jeshile”.
Megjithëse Shqipëria hapi të 33 kapitujt e negociatave në nëntor të vitit të kaluar, disa fusha vijojnë të konsiderohen problematike nga vendet anëtare të BE-së. Mes kapitujve që kërkojnë progres të mëtejshëm përmenden Kapitulli 5 për Prokurimin Publik, Kapitulli 18 për Statistikat, Kapitulli 23 për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, si dhe Kapitulli 32 për Kontrollin Financiar.
Diskutimet pritet të vijojnë në ditët në vijim, deri në arritjen e një qëndrimi të përbashkët nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit.a.b



