Një operacion i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale ka përfunduar me neutralizimin dhe arrestimin e dy shtetasve, pasi ata tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Policisë dhe t’u rrezikonin jetën gjatë ndërhyrjes për kapjen e një personi në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në pranga ra Leonard Dema, i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje. Gjatë operacionit u arrestua edhe shtetasi Amadeo Fufi, 28 vjeç, i cili shoqëronte të kërkuarin dhe rezultoi i armatosur.
Operacioni u zhvillua pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, pasi autoritetet kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e 23-vjeçarit në zonën e aksit rrugor “Mamurras–Laç”.
Sipas Policisë, në momentin e ndërhyrjes pranë një karburanti, Leonard Dema, që lëvizte me automjet së bashku me 28-vjeçarin, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me makinë, ndërsa personi që e shoqëronte iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë ndërhyrë për neutralizimin e tyre, duke plagosur Leonard Demën. Ai u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë kontrolleve, Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë që posedonte 28-vjeçari.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me AMP-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.a.b



