Një numër i madh studentësh shqiptarë dhe qytetarë dë Maqedonisë Veriut janë mbledhur këtë të hënë në Shkup për të protestuar në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Tubimi nisi te Ura e Gurit, ku pjesëmarrësit marshuan me pankarta dhe thirrje në mbështetje të të drejtave gjuhësore dhe barazisë qytetare, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta po zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët, të gjithë me një zë”, ndërsa organizatorët theksojnë se qëllimi i saj nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.
Në reagimin e tyre publik, studentët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin kauzën për zhvillimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
Për ta, garantimi i përdorimit të shqipes në këto procese përbën një të drejtë themelore dhe një standard të barazisë qytetare në vend. m.k





