Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfunduar përgatitjet për referendumin e 23 majit, ku anëtarësia demokrate do të votojë për zgjedhjen e kryetarit të partisë sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Lajmi u bë i ditur nga sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso, i cili deklaroi se procesi do të zhvillohet në të 77 degët e partisë në të gjithë vendin.
Sipas Kasos, qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 18:00, ndërsa në degët më të mëdha do të ketë më shumë se një qendër votimi, në varësi të numrit të anëtarëve dhe kërkesave të paraqitura.
Ai e cilësoi referendumin si një ushtrim të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe theksoi se Partia Demokratike ka zhvilluar shtatë procese zgjedhore të hapura dhe demokratike që nga krijimi i Komisionit të Rithemelimit.
Në këto zgjedhje kandidon vetëm kryetari aktual i PD, Sali Berisha. Kandidatët e tjerë u skualifikuan ose nuk u përfshinë fare në shqyrtim.
Në deklaratën e tij, Kaso sulmoi edhe kundërshtarët politikë, duke e quajtur Partinë Socialiste “parti bunker”, ku sipas tij prej më shumë se një dekade nuk zhvillohen zgjedhje të brendshme dhe vendimmarrja bazohet tek parimi “një kryetar, një votë”. a.b





