Policia e Shtetit ka goditur një rast ndërtimi të paligjshëm në një hapësirë plazhi në Sarandë, duke arrestuar në flagrancë 8 persona dhe shpallur në kërkim një shtetase që dyshohet se ishte porositësja e punimeve.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, me fokus zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave në ujë, në lagjen nr. 1 të qytetit, po kryheshin punime ndërtimi pa leje.
Në pranga ranë shtetasit K. R., 25 vjeç, E. S., 41 vjeç dhe O. C., 32 vjeç, banues në Sarandë; B. R., 48 vjeç, banues në Delvinë; E. R., 41 vjeç, banues në Lushnjë; O. B., 47 vjeç, banues në Tiranë; E. K., 42 vjeç, banues në Lezhë dhe Y. D., 33 vjeç, banues në Mat.
Policia bëri me dije se është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe shtetasja A.B., e cila posedon hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës dyshohet se po kryheshin punimet e paligjshme. Vijojnë kërkimet për kapjen e saj.
Pas ndërhyrjes, strukturat e policisë kanë njoftuar Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IMT-në dhe Policinë Bashkiake, të cilat po vijojnë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. a.b




