Nga Vladimir Karaj
Një seri dokumentesh të reja të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit të martën zbulojnë një arkitekturë komplekse korporative pas projektit të shumëpërfolur për transformimin e ishullit të Sazanit në një resort luksoz – projekt ky i prezantuar nga dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Jared Kushner.
Ndërkohë që Kushner është fytyra publike e projektit, të dhënat e depozituara në QKB tregojnë se kompania zbatuese “Sazan Operations” e themeluar më 1 prill në Shqipëri kontrollohet në 100 për qind të aksioneve nga dy vëllezërit miliarderë, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat, me bazën e bizneseve të tyre në Katar.
Pronësia ushtrohet megjithatë përmes një rrjeti prej 6 kompanish të huaja, të cilat zotërojnë njëra tjetrën në formë kaskade. Njëra prej kompanive të lidhura, “Blue Industries Investment Holding B.V.”, e regjistruar në Holandë, ka pesë aksionerë të panjohur shqiptarë, të cilët paketa prej 24% e aksioneve u mundëson që të mos shfaqen në regjistrin e përfituesve fundorë.
Gjithashtu, Mohamad Al-Khayyat rezulton i përfshirë në projektin e dytë të ndërtimit të një resorti në Zvërnec përmes degës shqiptare të kompanisë “Urbacon Trading and Contracting – Albanian Branch”.
Dokumentet e “Sazan Operations” u shfaqën në QKB në të njëjtën ditë me publikimin e vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike për shtyrjen e afatit të negocimit për projektin e ndërtimit të resortit në Sazan, për të cilin kompania “Atlantic Incubation Partners LLC” e lidhur me Kushner ka marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare.
Vëllezërit Al-Khayyat janë emra të njohur në Lindjen e Mesme. Ata drejtojnë konglomeratin Power International Holding (PIH) me aktivitet në ndërtim, pasuri të paluajtshme, bujqësi dhe shëndetësi. PIH ishte një nga kontraktorët kryesorë në ndërtimin e infrastrukturës për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Një investigim i The New York Times, i publikuar më 19 Prill 2026, vuri në dukje lidhjen mes vëllezërve Al-Khayyat, të cilët janë me origjinë siriane, dhe Kushner si dhe anëtarëve të tjerë të familjes Trump.
Lidhur me investimet në Shqipëri, Ramez Al-Khayyat i ka konfirmuar NYT partneritetin me Kushner.
“Ne po investojmë në holding për t’u siguruar që të ketë kapital të mjaftueshëm. Pra, është një sipërmarrje e përbashkët mes dy kompanive, dhe në fakt ne po e menaxhojmë atë së bashku,” tha ai për New York Times.
Kosto shtesë për buxhetin
Regjistrimi i kompanive të huaja dhe publikimi i të dhënave të tyre u bë thuajse në të njëjtën kohë me zbardhjen e një vendimi të ri të Komitetit të Investimeve Strategjike të 30 dhjetorit 2025, i cili zgjat afatet e planit të parashikuar për dhënien e statusit të investimit strategjik për ishullin e Sazanit.
Sipas vendimit, kostot për çminimin e Sazanit i kalojnë Ministrisë së Mbrojtjes.
Në pikën 5 të këtij vendimi, KIS ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes që të kryejë pastrimin e ishullit nga “risku piroteknik”, mbetjet e municioneve luftarake nga koha e komunizmit. Pika më e rëndësishme e këtij vendimi është theksimi se kostot e këtij procesi “do të mbulohen nga vetë ministria”, ndërsa në vendimin e mëparshëm i liheshin investitorit.
Gjithashtu, vendimi i KIS i dha një afat prej 120 ditësh, me mundësi shtyrje edhe 120 ditë të tjera për të negociuar me investitorin. Regjistrimi i “Sazan Operations” në prill 2026, rreth katër muaj pas këtij vendimi, përkon fiks me këtë afat negociatash.
Në vendimin e KIS bëhet me dije se deri në dhjetor 2025 ishin zhvilluar 10 negociata mes palëve dhe se një pjesë e detyrave ishin realizuar. Megjithatë, vendimi i ri lë sërish të kuptohet se kompania nuk ka ende një plan dhe një studim fizibiliteti.
Sipas pikës 11, investitorit i kërkohet ndër të tjera: Plani i plotë i biznesit, studimi i plotë i fizibilitetit, një relacion shpjegues ku jepen arsyet e kërkesës për përfshirje shtetërore, projekti i plotë zhvillimor i infrastrukturës së brendshme dhe mënyra e lidhjes së saj me infrastrukturën e jashtme, si dhe të drejtat e përfitimet që i kalojnë shtetit.reporter.al



