Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijon hetimet për dosjen e tenderit me vlerë rreth 2.2 milionë euro, të zhvilluar në vitin 2020 për mirëmbajtjen e disa segmenteve rrugore në veri të vendit, me gjatësi totale 59 kilometra. Reagimi i SPAK erdhi pasi ata pushuan akuzën për ish kreun e KPP, akuzuar për korrupsion.
Bëhet fjalë për segmentet Rrëshen (Ura e Fanit)–Shpal, Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, për të cilat hetimet mbeten ende të hapura.
Sipas prokurorit të çështjes, Elvin Gogaj, është kërkuar pushimi i hetimeve vetëm për akuzën e favorizimit në tendera. Ky qëndrim lidhet me faktin se kompania e skualifikuar ka ankimuar vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik në Gjykatën Administrative.
Ndërkohë, hetimet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave vijojnë dhe janë ende në fazë aktive.
Kërkesa për pushimin e akuzës së favorizimit në tendera nuk përfshin vetëm Myzyrin, por edhe disa persona të tjerë nën hetim, konkretisht Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
SPAK pritet të vijojë me veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht këtë çështje.





