Kryetarja e Kuvendit, Erisa Spiropali, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale lidhur me tensionet e fundit në Parlament, duke theksuar se situata aktuale rrezikon të dëmtojë funksionimin e Republikës Parlamentare.
Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se ajo që u pa në seancën e fundit parlamentare nuk ishte vetëm një moment tensioni politik, por një tregues se mekanizmi i Parlamentit po has vështirësi për të prodhuar politikë dhe debat funksional.
Sipas saj, konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e politikës, por problemi sot është se ai po shndërrohet në konflikt banal që po zëvendëson funksionin real të Parlamentit. Spiropali thekson se institucioni që duhet të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe të kontrollojë qeverisjen po humb rolin e tij.
Ajo paralajmëron se kur ky funksion dobësohet, pasoja e parë është rënia e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, gjë që sipas saj cenon vetë thelbin e Republikës Parlamentare.
Spiropali shton se integrimi europian kërkon institucione që funksionojnë realisht dhe jo vetëm që ekzistojnë formalisht.
Postimi i plotë:
“Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare.
Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.
Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.
Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.
Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.
Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.
Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.
Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë.”



