Pas vetëm një dite ulje, çmimi i karburanteve është rritur sërish në tregun vendas. Në mbledhjen e zhvilluar mëngjesin e sotëm, Bordi i Transparencës për Hidrokarburet ka vendosur rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë për litër dhe të benzinës me 6 lekë në tregun e pakicës.
Sipas vendimit të ri, çmimi i naftës nga 203 lekë për litër është rritur në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë për litër ka shkuar në 181 lekë për litër. Ndërkohë, çmimi i gazit nuk ka pësuar ndryshime.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi bordi kishte vendosur uljen e çmimeve. Në mbledhjen e së premtes, çmimi i naftës ishte ulur nga 214 lekë për litër – nivel në të cilin kishte qëndruar për rreth 8 ditë – në 203 lekë për litër. Po ashtu, benzina ishte ulur nga 199 lekë në 175 lekë për litër.
Megjithatë, çmimet e reja hasën kundërshtime nga importuesit e karburanteve, të cilët në një letër drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ngritën shqetësimin se përllogaritjet ishin bërë gabim dhe se çmimet e vendosura ishin nën kosto.
Importuesit kërkuan mbledhjen urgjente të bordit për të rishikuar metodologjinë e përllogaritjes, duke paralajmëruar se në të kundërt do të përballeshin me humbje të mëdha dhe mund të detyroheshin të pezullonin furnizimin me karburant.
Pas mbledhjes së sotme, Bordi i Transparencës vendosi këto çmime të reja:
Me shumicë:
- Nafta: 206 lekë/litër
- Benzina: 169 lekë/litër
Me pakicë:
- Nafta: 218 lekë/litër
- Benzina: 181 lekë/litër
Ndërkohë, çmimi i gazit mbetet i pandryshuar.a.b





