Ish ministrja, Elisa Spiropali, ka reaguar publikisht pas deklaratës së drejtuesit politik të Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla, duke theksuar se çështjet që kërkojnë vendimmarrje duhet të diskutohen në mënyrë të plotë në grupin parlamentar.
Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se është dakord me idenë që çdo situatë e tillë të trajtohet përmes konsultimit të gjerë brenda grupit, duke vënë theksin te rëndësia e vendimmarrjes kolektive.
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.
Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.
Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut”, shprehet Spiropali.
Debati erdhi pasi kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët për mungesën e Spiropalit në seancën parlamentare ku u votua për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Rama u përgjigj shkurt se çështjet që lidhen me disiplinën dhe mungesat në grupin parlamentar trajtohen nga Taulant Balla.
“Merret Balla me mungesat”, u shpreh Rama gjatë konferencës për shtyp.
I pyetur nëse do të ndërmerrte masa për mungesën e Spiropalit në seancë, Balla theksoi se vendime të tilla nuk i merr i vetëm, por në konsultim me deputetët e grupit parlamentar socialist.
“Unë nuk i marr vetëm vendimet, i marr së bashku me grupin parlamentar. Kështu që për këtë çështje do të konsultohem me grupin parlamentar”, deklaroi Balla.a.b




