Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që çështja ndaj tij dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi të kalojë për gjykim.
Në reagimin e tij në Facebook, Meta e cilësoi vendimin si një “gjykim me risi”, duke pretenduar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri funksionon me regji dhe se procesi i zhvilluar ndaj tij nuk përbën përjashtim. Ai theksoi se gjykata, sipas tij, ka pranuar një pjesë të pretendimeve të mbrojtjes lidhur me mungesën e disa veprimeve hetimore.
Meta shtoi se vendimi për të kaluar çështjen në gjykim, ndërkohë që janë listuar edhe veprime të tjera hetimore që duhen kryer, krijon një situatë ku gjykimi dhe hetimet do të zhvillohen paralelisht.
Në reagimin e tij të plotë, Meta shkruan:
“Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.
I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.” a.b




