Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Besart Xhaferri, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me incidentet në Vilën 31.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Xhaferri akuzoi Ramën për standard të dyfishtë, duke iu referuar shembjes së Teatri Kombëtar disa vite më parë. “Ai që shembi Teatrin Kombëtar për kullë, sot vë kujën për vilën e gjakatarit Hoxha,” u shpreh Xhaferri.
Sipas tij, reagimi i Kryeministrit për Vilën 31, ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha, është i pajustifikuar. Xhaferri deklaroi se ajo godinë duhet të ishte kthyer në një muze në kujtim të mijëra të zhdukurve gjatë regjimit komunist, duke përmendur shifrën prej 6 mijë personash.
DEKLARATA/ Ai që shëmbi Teatrin Kombëtar për kullë, po vë kujën për vilën e gjakatarit Hoxha, ku artistë të huaj ndërtonin instalacione të Manualit 5D!
Në mediat e inceneratorëve prej orësh është vënë kuja për në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, njeriut që përgjaku popullin e tij si pak kush tjetër në Evropë.
Madje sot, ai që shëmbi Teatrin Kombëtar për të bërë një kullë ku pastron paratë e drogës, sot shkoi në Vilën 31 me argumentin se aty ka artistë të huaj, nga ata që bëjnë instalacione të Manualit 5D.
Ajo vilë do duhej të ishte kthyer në një muze për 6 mijë të zhdukurit nga regjimi komunist.




