Nga Sami Neza
Kryeministri Edi Rama ka bërë të enjten piruetën me të thellë në historinë e tij politike. Ndërsa ndryshimet e papritura në qeveri kanë qenë sjellje e zakonshme për të në situata të vështira si ajo e këtyre ditëve, ato nuk kanë pasur ndikime përtej emrave të ndryshuar duke mos shënuar asnjë lajm politik me ndikim.
Thjesht kanë ikur ca ministra e kanë ardhur disa të tjerë ndërsa nuk është prekur korraca që rrethonte Ramën dhe Rilindjen, si dhe nuk ka tulatur mekanizmin e qeverisjes së Ramës, një model ku partia është pamja dhe klani është brendia.
Rama e arriti këtë përmes një skeme që përjashtonte nga qeveria socialistët me ndikim, duke e bërë të padukshëm pushtetin e tyre. Bile ai kishte vendosur një përmasë edhe për të vetët. Ndonjë centimetër më shumë nuk tolerohej dhe këtë e pamë përmes shkrirjes se Veliajt jo për shkak të korrupsionit për për shkak të centimetrave. Një sinjal i zbehtë pëe ti hapur vendin e shefit për Veliajn e zhyti këtë të fundit në fund të pusit.
Ai nuk u godit për shkak të grabitjes, pasi në atë pjesë ishte korrekt me shefin e tij dhe mekanizmin që i mbante në pushtet.
Në PS ai neutralizoi Gramoz Ruçin përmes postit të kreut të Kuvendit me kushtin që më pas të largohej, mënjanoi Pandeli Majkon ndërsa u sigurua për korrektesën e Bledi Klosit por jo për atë të Petro Koçit që e la pas dere po ashtu. Një socialist që qarkulloi më gjatë përmes pushtetit të Edi Ramës pa bërë shumë kompromise ishte Erion Braçe. Po aq edhe Fatmir Xhafa i cili bëri një hap të guximshëm kur u bë ministër i Brendshëm teksa testoi Ramën duke i goditur skemën përmes arrestimit të Ndokës. Mjaftoi një takim i Ramës në Lushnjë që Xhafa të rrëzohej si gjethe vjeshte ku konteksti që lidhej më vëllain e tij të dënuar për trafik në Itali ishte vetëm horizonti. Të tjera rrethana e bënë Xhafën të bënte dorëheqjen e urdhëruar.
Rama ka mbrojtur e mbajtur afër me sinqeritet vetëm një socialiste, ish ministren Olta Xhaçka. Ndërsa Elisa Spiropali u atashua tek ekipi i Ramës me një mundim të madh. Brenda ekipit të Ramës ajo ishte mall importi por e pranueshme si e barabartë për sa kohë i bindej qorrazi Ramës.
Ndërsa rikthimi i Taulant Ballës në krye të grupit rë PS, është enigmë e madhe. Atë mund ta dinë 3-4 veta, jo më shumë. Për momentin po e llogaritim si socialist të përkëdhelur, i vetmi që ka sipërfaqen më të madhe tek Rilindja.
Ndryshe nga meremtimet e tjera në qeveri ku ndryshimi i emrave nuk sillte ndryshime të tjera, kësaj here Rama ka goditur ingranazhin e tij. Fakti që Kryeministri u detyrua të dorëhiqej pjesërisht nga mbrojtja e Ballukut do të thotë se mekanizmi i Ramës nuk funksionon më, ose është dobësuar, ose është dekonspiruar ose nuk ka më vullnetarë. Mund të jenë të gjitha bashkë. Vullnetarët për shembull nuk firmosën vitin e kaluar 500 milionë euro shpenzime në institucionet e qeverisë.
Por ndërkohë që Rama nuk po tërheq dot të gjitha fijet, brenda PS ka nisur rezistenca. Goditja e Spiropalit ka krijuar krisjen e parë mes Ramës dhe PS. Gjithë refuzimi i Ramës ndaj socialistëve është pranuar prej këtyre të fundit në këmbim të pushtetit edhe pse socialistët nuk ishin përfituesit e mëdhenj por ishin më mirë se humbës.
Spiropali ka apeluar në përgjigjen e saj pas shkarkimit tek socialistët. Kjo nuk do thotë se socialistët janë rikthyer tek etika e pushtetit. Por se ata kanë fare pak të negocojnë me Ramën. Nuk besojnë më se ai u jep sërish pushtet.
Ka dy ngjarje që priten në vazhdim për të kuptuar nëse ekziston ende në PS një barrierë serioze që mund të ruajë PS nga shembja e pushtetit në emër të saj dhe me konsensusin e saj konformist e përfitues.
Te dy ngjarjet vetë Rama i ka lajmëruar se do të jenë në një ditë: votimi i mandatit të Ballukut dhe votimi i ndryshimeve ligjore të propozuara prej tij që e mbrojnë Ramën nga dëshmia e pritshme e Ballukut, duke penguar SPAK dhe GJKKO të hetojnë vetë Ramën apo ta pezullojnë atë.
Të dyja zhvillohen në rrethana në disfavor të Ramës për shkak të gabimit të tij, së pari për të ndryshuar qeverinë para këtij votimi dhe së dyti për të mbajtur sërish PS jashtë qeverisë përmes këtyre ndryshimeve.
Ka 4 mundësi:
1.Mazhoranca i heq mandatin Ballukut duke çuar në arrestimin e saj dhe voton ndryshimet ligjore të propozuara nga Rama duke e korracuar atë në detyrë, për aq kohë sa opozita nuk e ka rrëzuar përmes protestave.
2.Mazhoranca nuk i heq mandatin Ballukut dhe voton edhe ndryshimet e kodit penal për korrupsionin duke mbrojtur Ramën dhe ministrat e tij. Në këtë rast eksponentë të PS si Spiropali, Xhafa, Braçe bile edhe Klosi e me gjasë edhe Balla marrin goditjen finale. PS nuk ka rëndësi për Rilindjen, si e tillë është e padobishme edhe për mekanizmin. Qeveria kurdo që do të bjerë, zë brenda PS siç është.
3.Nuk votohet imuniteti i Ballukut por nuk votohen as ndryshimet e propozuara në kodin penal. Kjo shpëton Ballukun nga arrestimi por nuk shpëton Ramën nga hetimi. Por PS mes Ramës dhe Ballukut normalisht që zgjedh Ramës kështu që kjo mundësi duhet neglizhuar.
4.Mazhoranca krijon aq vota sa duke u bashkuar me ato të opozitës votojnë heqjen e imunitetit të Ballukut dhe rrëzojnë ndryshimet e propozuara nga Rama. Për propozimin e Ramës mjaftojnë 4 socialistë duke supozuar se e gjithë opozita do të jetë unike, ndërsa për imunitetin e Ballukut duhen 17 socialistë. Nëse Rama urdhëron të mbrohet Balluku, nuk ka 17 socialistë në grupin parlamentar që mund të çojnë në thyerjen e vendimit, por ama 4 socialistë janë aty nëse e kanë pasur të sinqertë sadopak rezistencën fluide ndaj Ramës të paktën nga 26 shkurti e në vijim.





