Maringlen Qato
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënime me burg për disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe katër shtetas të tjerë, të përfshirë në çështjen e njohur si dosja “5D”, që lidhet me abuzime në procedurat e tenderave publikë.
Në seancën përfundimtare, organi i akuzës ka paraqitur kërkesat për dënim me heqje lirie dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite për secilin prej të pandehurve si më poshtë:
- Redi Molla – 11 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Mariglen Qato – 9 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Taulant Tusha – 4 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Albano Janku – 2 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Enton Punavija – 3 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Julian Zanaj – 3 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
- Nestor Muhametllari – 7 vite burg dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike
Sipas akuzës, dy ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato, përballen me veprat penale “shpërdorim detyre”, “shkelje e barazisë në tendera” dhe “pastrim parash”, në lidhje me procedurat e prokurimit publik të përfshira në dosjen “5D”.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur në vitin 2023, ndërsa arrestimet e tyre u kryen në mars 2024. Prokuroria pretendon se Molla dhe Qato kanë favorizuar kompaninë “5D Konstruksion” në tenderat e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.
Sipas organit të akuzës, dy ish-zyrtarët rezultojnë pronarë përfitues realë të kësaj kompanie, e cila ka fituar 11 tendera nga Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2016–2022, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik. a.b




