Banorët e zonës së amfiteatrit në Durrës janë mbledhur sërish sot para godinës së Bashkisë, në shenjë proteste kundër projektit TID, që parashikon ndërhyrje dhe prishje banesash në qendër të qytetit. Ata ishin njoftuar për një takim me kryeministrin Edi Rama në orën 10:00, por ky i fundit mbërriti me rreth një orë vonesë, ndërsa u prit me thirrje kundërshtuese si “O Rama, o hajdut!”. Policia ka arrestuar isa prej tyre.
Para hyrjes së bashkisë qëndronin forca të shumta policie, ndërsa dera e institucionit, sipas protestuesve, nuk ishte e hapur për qytetarët. Në shesh, banorët shpalosën pankarta me mbishkrime si: “Shtëpitë janë tonat”, “I kemi mbrojtur me gjak”, “Bashkia po na nxjerr në rrugë”, “Haram vota! Turp! Grabitës!”.
Një përfaqësi e banorëve zhvilloi një takim rreth dy orë e gjysmë me kryeministrin. Në përfundim, Rama deklaroi për mediat se ishte arritur dakordësi me 34 familje për mënyrën se si do të vijohet më tej, duke theksuar se projekti nuk do të ndalet.
“Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por do të bëhet një verifikim për disa objekte që mund të kenë vlerë kulturore”, u shpreh Rama, duke shtuar se disa prona rezultojnë pa hipotekë, megjithëse janë ndërtuar prej kohësh.
Nga ana tjetër, përfaqësues të banorëve dolën të zhgënjyer nga takimi. Sipas tyre, në nisje të bisedës u është bërë e qartë se nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të projektit. Ata theksuan se nuk janë kundër zhvillimit urban, por kërkojnë rishikim të projektit, duke pretenduar se ka gabime serioze në hartim dhe në përfshirjen e objekteve me vlera historike e arkitektonike.
Banorët kundërshtojnë edhe kompensimin e ofruar, duke e konsideruar atë nën vlerën e tregut. Sipas tyre, alternativat e strehimit në periferi, në zonën e Kënetës, nuk janë të pranueshme për familjet autoktone që banojnë prej dekadash në qendër të qytetit.
Tre ditë më parë, familjeve të prekura u është dërguar një shkresë ku u kërkohet të lirojnë banesat deri më 16 shkurt, pasi do të vijojë procesi i shembjeve. Përfaqësuesit paralajmërojnë se nëse nuk anulohen vendimet përkatëse dhe letrat e IKMT-së, do të mbrojnë banesat e tyre.
Projekti TID synon transformimin e zonës arkeologjike përreth amfiteatrit dhe rrjetëzimin urban të bulevardit “Epidamn”, përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit. Sipas bashkisë, largimi vullnetar i banorëve është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë realizimit të projektit.a.b





