Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati është dërguar në Spitalin e Traumës pasi ka pësuar një goditje në kokë gjatë protestës së opozitës para godinës së Kuvendit. Partia Demokratike ka publikuar pamje ku mësohet se deputeti është goditur nga efektivët e policisë.
Në videot e shpërndara nga PD, shfaqet një moment përplasjeje fizike mes policisë dhe Nallbatit ndërsq ndaj deputetit është përdorur edhe spraj në fytyrë.
Ndërkohë, protesta është përshkallëzuar në tensione të forta, para Parlamentit mes kordoneve policore dhe protestuesve. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, e cila tentonte herë pas here çarjen e kordonit të sigurisë.
Më herët, protestuesit së bashku me deputetë të Partisë Demokratike kanë shtyrë efektivët e policisë në përpjekje për të thyer perimetrin e sigurisë.
Si pasojë e përplasjeve policia raporton se janë lëbduar, katër punonjës policie tre prej tyre janë transportuar për ndihmë mjekësore. a.b.





