Gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita para Kryeministrisë, situata u përshkallëzua në momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të rendit. Teksa disa qytetarë të revoltuar hodhën lëndë djegëse artizanale drejt godinës së Kryeministrisë dhe më pas nisën të largohen nga sheshi, policia reagoi duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion në drejtim të protestuesve.
Sipas pamjeve të transmetuara nga mediat, ndërhyrja e forcave të rendit u shoqërua me përdorim të gjerë të mjeteve për shpërndarjen e turmës, edhe në momente kur protestuesit po tërhiqeshin. Po ashtu, raportohen raste ku efektivë të policisë janë parë duke goditur protestues pranë gardhit metalik të vendosur përpara Kryeministrisë, pa u evidentuar ndonjë shkak i drejtpërdrejtë.





