Avokati Kujtim Cakrani
Avokati Kujtim Cakrani, i cili përfaqëson Presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta në një dosje penale ndaj tij, është dhunuar mesditën e kësaj të diele në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Vlorës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, në rrugën Transballkanike, pranë një pike karburanti. Cakrani, 55 vjeç, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar, teksa po furnizonte automjetin e tij me karburant.
Paraprakisht dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pozicionimit të mjetit në vendin e furnizimit, duke shkaktuar bllokimin e automjeteve të tjera. Debati verbal mes palëve ka përshkallëzuar në dhunë fizike, ku dy personat e përfshirë e kanë goditur avokatin.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ngjarja nuk ka lidhje me ushtrimin e funksionit të tij si avokat apo me çështjet që ai përfaqëson. Pas incidentit, Kujtim Cakrani është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk bëhet ende e ditur.
Nga veprimet e para hetimore, policia ka identifikuar automjetin me të cilin autorët janë larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës. a.b




