Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot në një bisedë në rrjete sociale pas zhvillimeve në Gjykatën Kushtetuese, e cila pas një seance maratonë prej rreth 9 orësh nuk arriti të miratojë kërkesën e kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Gjykata Kushtetuese “hodhi në kosh” kërkesën e Ramës, duke e cilësuar këtë si një akt që shmangu atë që ai e quajti një “grusht shteti kundër shqiptarëve”. Sipas tij, ndarja e votave 4 me 4 bëri që kërkesa e kryeministrit të mos miratohej.
Berisha vlerësoi qëndrimin e disa prej gjyqtarëve kushtetues, të cilët sipas tij, me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që synonte krijimin e një “muri mbrojtës” për Edi Ramën. Megjithatë, ai kritikoi Gjykatën për faktin se i dha më herët kohë të mjaftueshme zëvendëskryeministres Belinda Balluku për, sipas tij, të fabrikuar dhe falsifikuar dokumente.
Sipas kreut të PD-së, çështja nuk kishte të bënte me Ballukun, por me vetë kryeministrin Rama dhe synimin për ta mbrojtur atë nga përgjegjësia politike dhe ligjore.
Berisha e cilësoi këtë moment si një thirrje për opozitën dhe mbështetësit e saj që të “shumëfishojnë energjitë dhe forcat” në betejën për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Ai deklaroi se asnjë shqiptar, sipas tij, nuk duhet të pranojë që e ardhmja evropiane e vendit dhe e brezave të rinj të cenohet për interesa personale dhe për pasurim të paligjshëm.
Kreu i opozitës u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se kishte paralajmëruar prej kohësh se Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, nuk plotëson kriteret e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian, përveç pozicionit gjeostrategjik.
Në fund të deklaratës, Berisha shprehu bindjen se një “kryengritje paqësore” e qytetarëve do të rikthejë Kushtetutën, ligjin, votën e lirë, një qeveri teknike dhe zgjedhje të ndershme, duke çuar sipas tij në fitoren e opozitës.




