Papa Leono XIV pret Ramën
Paraditen e kësaj të enjteje, më 5 shkurt, Papa Leoni XIV zhvilloi një takim zyrtar me kryeministrin Edi Rama në Pallatin Apostolik në Vatikan. Sipas Vatikan News, pas audiencës me Atin e Shenjtë, Rama u prit edhe në Sekretariatin e Shtetit, ku u takua me kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, si dhe me monsinjor Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Në njoftimin e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë thuhet se gjatë bisedimeve u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe u diskutuan çështje me interes të përbashkët, veçanërisht ato që lidhen me raportet ndërmjet komunitetit kishtar dhe atij civil.
Në fokus të takimit ishin gjithashtu temat kryesore rajonale, përfshirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e tij në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, një vend i shenjtë me rëndësi të veçantë për besimtarët shqiptarë. Vizitën e shoqëroi me një mesazh lutjeje drejtuar Nënës Mari, ku shprehte përkushtimin dhe besimin për popullin shqiptar, familjet dhe rininë, si dhe kërkonte udhëzim dhe mbrojtje hyjnore për Shqipërinë. a.b





