Një situatë e pazakontë është konstatuar në publikimin e fundit të listës së barnave të rimbursueshme nga Ministria e Shëndetësisë. Edhe pse dita e sotme është e shtunë dhe administrata publike është zyrtarisht pushim, ministria ka publikuar çmimet e reja të barnave, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe qëllimin e këtij veprimi, raporton syri.net.
Sipas të dhënave të publikuara më 31 janar, çmimet CIF të barnave të importuara rezultojnë disa herë më të larta krahasuar me listën e publikuar vetëm dy javë më parë, më 16 janar. Rritjet variojnë nga 3% deri në shifra ekstreme që arrijnë deri në 4000%.
Në mënyrë konkrete:
- Cefazolina, një antibiotik i përdorur gjerësisht dhe i prodhuar në Kinë, shënon një rritje rreth 4000%;
- CYCLOLUX, solucion injeksioni 0.5 mmol/ml, ka pësuar rritje prej 62%;
- REMSIMA, medikament për sëmundje autoimune dhe inflamatore, i prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar, ka rritje prej 97%;
- Metformina, barnë për diabetin e prodhuar në Maqedoninë e Veriut, është rritur me rreth 2000%;
- Ibrance, medikament onkologjik për kancerin e gjirit, i prodhuar nga Pfizer, ka pësuar rritje mbi 1000%;
- PHESGO, gjithashtu për trajtimin e kancerit të gjirit, i prodhuar në Zvicër, ka një rritje prej 1357%.
Procedura e përllogaritjes së çmimeve, e cila reflekton rritje kaq të mëdha brenda një periudhe shumë të shkurtër, ka ngritur dyshime serioze për abuzime. Burime bëjnë me dije se këto çmime janë miratuar pa u konsultuar me kompanitë farmaceutike dhe pa marrë parasysh kërkesat e tyre.
Në këto kushte, Ministria e Shëndetësisë pritet të japë shpjegime për mënyrën e përllogaritjes së çmimeve dhe për të sqaruar nëse pas këtij ndryshimi të shumëfishtë qëndrojnë vendime preferenciale apo interesa të caktuara tregtare.a.b




